Prishtinë, 10 Tetor 2016 – Ndër zhvillimet e fundit që po ndodhin në Kosovë, fokus të madh po i kushtohet projektit të kompanisë “Envidity Energy Kosova LLC,” bordi i së cilës drejtohet nga gjenerali Wesley Clark, e që kanë kërkuar licencë për hulumtimine thëngjillit në 1/3 e territorit të Kosovës. Projekte të tilla, edhe pse mbështeten në parim me arsyetimin e nevojës për investime në Kosovë, apo për punësim të qytetarëve, nuk janë aspak të mirëfillta për tu zhvilluar. Kjo, për shkak se këso projektesh të cilat ndikojnë ujërat nëntokësore si dhe qymyrin, paraqesin kosto katastrofale ambientale, shëndetësore e sociale – që për qindra herë tejlakojnë përfitimet ekonomike, të cilat veçse nuk janë të qarta.
Projekte për gazifikimin e qymyrit për të krijuar naftë sintetike dhe kerozinë, nuk kanë hasur në aprovime në vende të ndryshme nëpër botë, pasi që janë konsideruar si bartëse të rreziqeve të mëdha mjedisore dhe sociale, kjo për shkak të vetë procesit dhe teknologjisë së përdorur. Shembull konkret është vendimi i Qeverisë të Skocisë, për ndalimin e gazifikimit të qymyrit nëntokësor [1], pasi që është konstatuar se paraqet rreziqe të shumta dhe serioze mjedisore. Andaj për të siguruar një proces transparent dhe vlerësim adekuat mjedisor për projekte të gasifikimit të qymyrit, Qeveria e Skocisë do të kryejë hulumtime të plota në ndikimet e mundshme të teknikave të tilla nëntokësore në mjedis dhe shëndet, para se të ndërmarr vendim për aprovimin e projekteve të tilla.
Vendimi i fundit i Skocisë është një rrugë të cilën edhe Qeveria e Kosovës duhet ndjekur, pasi që qartazi shprehen të gjitha rreziqet që projekte të tilla përmbajnë në vete. KOSID propozon që projekti i Envidity të mos votohet nga Deputetët e Kuvendit të Kosovës, pasi që rrezikon ndotjen e tokës së punueshme, ndotjen shkatërruese të ujërave nëntokësore, paraqet emetim të gazeve të rrezikshme për ambientin dhe harxhon një sasi të madhe të ujit për operim. Mbi të gjitha, ky projekt do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë tek banorët e zonave, pasi që hulumtimi do të shkaktojë zhvendosjen e tyre, dhe si rezultat, do të ketë pasoja të rënda sociale dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
KOSID rekomandon që Qeveria e Kosovës në fakt duhet fokusuar në zhvillimin e një Strategjie të re të Energjisë, e që nuk përfshinë Gazifikimin Nëntokësor të Qymyrit. Ngjashëm sikurse në Skoci, është e nevojshme që Qeveria e Kosovës të zhvillojë takime konsultative me akterë relevant, duke përfshirë OJQ-të mjedisore, shoqërinë civile, organizatat e komunitetit, qytetarë etj.,të insistojë në implementimin e analizave gjeologjike, të fizibilitetit dhe të ndikimit në mjedis, si dhe të konsultojë eskpertë të fushës para se të ndërmarrë vendime karshi projektit të lartëpërmendur. Gazifikimi nëntokësor i qymyrit nuk është e ardhmja e shteteve globale, andaj, e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për Kosovën.
[1] http://news.scotland.gov.uk/News/Moratorium-on-underground-coal-gasification-1e1a.aspx